Jo vetëm ka rigjetur vendin në formacionin titullar, por gjithashtu Bernard Berisha është kthyer të jetë vendimtar për Akhmat Groznin. Lojtari kosovar i skuadrës çeçene u bë protagonisti kryesor i suksesit në ndeshjen e parë të kampionatit rus, ndaj Krasnodar, duke ndihmuar Akhmat për të siguruar tri pikët dhe për ta nisur sa më mbarë këtë edicion. Në fakt, ai mori vëmendjen që në minutën e 10 të takimit, kur arriti të rrëmbejë penallti, por që e humbi. Teksa në tenetivën e tij nga pika e bardhë e gjuajti topin drejt e në duart e portierit kundërshtar e kështu shpërdoroi një mundësi të mirë për të kaluar skuadrën në avantazh.
Gjithsesi, ish-lojtari i Besës dhe Skënderbeut e shleu gabimin me një supergol në minutën e 28-të, kur shënoi përmes një rrofeshiate që gjeti në kundërkohë portierin që e devijoi fare pak, por pa shmnagur dot tundjen e rrjetës. Si përfundim, ai rezultoi goli i vetëm i takimit, në të cilin shqiptari tjetër i mbetur tek Akhmati, Odise Roshi, u aktivizua vetëm 3 minuta përpara fundit.
Gjithsesi ishte Berisha ai që u ngjit direkt në katedër, duke qenë një nga më të mirët e ndeshjes. Ai ka vuajtur gjatë sezoneve të fundit si pasojë e lëndimeve të shumta, por duket se tashmë është plotësisht i gatshëm për të treguar sërish se çfarë është në gjendje të bëjë. Ndërkohë që po të vazhdojë me këtë formë do të jetë e vështirë të mos grumbullohet nga kombëtarja e Kosovës, për ndeshjet kualifikuese të muajit shtator.