Berishët janë kthyer në modë tek Sampdoria. Pas kosovarit Valon Berisha që pritet të transferohet për 8 milionë euro nga Salsburgu, te klubi xhenovez do të kalojë befasisht edhe portieri i Kombëtares shqiptare, Etriti. Bëhet fjalë për një tratativë të nisur befasisht gjatë këtyre ditëve, me kontakte të shpeshta të drejtuesve të Atalantës dhe Sampdorias. E si rezultat do të vijë konkretizimi pozitiv pasi lojtari të ketë kryer vizitat mjekësore në Xhenova.
Me aq sa bëjnë të ditur mediat italiane, dy klubet kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët për këtë lëvizje. Duket se objektivi i vetëm i Atalantës ka qenë të përfitojë sa më shumë nga shitja e portierit dhe ia ka dalë mbanë, pasi përflitet një shumë prej 7 milionë eurosh.
Kështu, Berisha përshëndetet me bergamaskët pas dy sezoneve, ku arriti të sigurojë edhe kualifikimin historik në Kupat e Evropës. Sezonin e fundit me Atalantën, Berisha u aktivizua 42 herë, prej të cilave 31 ndeshje në kampionatin italian. Tek Sampdoria, ai do të zëvendësojë portierin italian Viviano, i cili është larguar nga skuadra xhenoveze drejt Parmës së sapongjitur në Serinë A