Berisha fitoi edhe jashtë fushe “derbin” me Strakoshën

Sport

Etrit Berisha ka dalë nga fusha e lojës si fitimtar përballë Thomas Strakoshës, pasardhësit të tij në portën e Kombëtares shqiptare. Dy gardianët ishin kundërshtarë të dielën në ndeshjen midis Spalit dhe Lacios, në Serinë A dhe që u mbyll me rezultatin 2-1, falë një goli në limit të vendasve.Ndërkohë që portierin 30-vjeçar fitoi edhe përballjen jashtë fushës me Strakoshën, duke marrë vlerësime më të larta për paraqitjen e tij përballë 24-vjeçarit. Ndërsa në deklaratat për mediat italiane e ka konsideruar një fitore të arritur, duke dhënë shpirtin në fushë. Kurse Strakoshën e ka konsideruar një mik dhe mes tyre nuk ka rivalitet.


Faqja e kanalit të njohur, “Eurosport”, në notat që jep për ndeshjet e Serisë A, e ka vlerësuar me 7 gardianin shqiptar të Spal, për paraqitjen që bëri përballë ish-skuadrës së tij. “Pëson gol me penallti nga Imobile, por pastaj bën atë që mundet për të mbajtur në këmbë SPAL-in”, ka shkruar ndër të tjera “Eurosport” për Berishën dhe paraqitjen. Ndërsa me notë shumë më të ulët, jo vetëm për humbjen, ka dalë Thomas Strakosha. Vetëm 5,5 për titullarin e dy ndeshjeve të fundit të përfaqësueses. “Nuk është perfekt në rastin e golit të Petanja”, theksohet në vlerësimin e tij duke kujtuar gabimin te goli i parë i SPAL. Fitimtar ka dalë edhe Berat Gjimshiti me Atalantën e tij në fushën e Genoas. Në fakt ai u bë protagonist duke shkaktuar penalltinë që solli golin e vendasve. Por më pas arriti të neutralizojë një kundërshtar të rrezikshëm siç është Kouame. E si përfundim, Zapata me golin në shtesë i dha gëzimin e fitores bergamaskëve që tashmë përgatiten për debutimin në Champions League.