Karim Benzema ka dhënë së fundmi një intervistë për France Football ku flet hapur për gëzimin që po përjeton pas largimit të Cristiano Ronaldos nga Reali i Madridit. Shtatlarti francez si fillim ka vlerësuar kontributin e portugezit duke thënë se me të ka formuar një dyshe të përkryer, e cila i ka dhënë shumë Realit të Madridit. Por nga ana tjetër ai ka këmbëngulur se synimi i tij në karrierë nuk ka qenë kurrë që të jetë dytësor në një skuadër. Sipas Benzemas në periudhën që Ronaldo luante për Realin, funksioni i tij në fushë ishte vetëm që të mbështeste portugezin në shënimin e sa më shumë golave. “Tanimë jam unë lideri i sulmit dhe më takon mua të bëj diferencën përpara portës, për këtë jam shumë i gëzuar, sepse tashmë mund të luaj futbollin tim të vërtetë” ka thënë Benzema për France Football.
Duke përshkruar gjithë karrierën e tij, që nga ardhja në Madrid prej Lyonit në vitin 2009 e deri më sot, 31-vjecari ka thënë se ka bërë sakrifica të mëdha për të mbetur në nivelet e larta. Në Itali fjalët e Benzemasë i kanë përcjellë duke marrë si shembull gjendjen që po kalon Paulo Dybala te Juventusi. Pas ardhjes së Cristiano Ronaldos, argjentinasi ka dalë në plan të dytë për sa i përket shënimit të golave dhe pozicionimit në fushë. Edhe luhatjet që ai ka pasur në formë, duket se tashmë e kanë një arsye, shembulli sipas italjanëve është karriera e Karim Benzemasë në Spanjë.