Karim Benzema prej kohësh është vënë në shenjestër të kritikave për shkak të formës së dobët që po kalon këtë sezon. Sulmuesi i Real Madrid numëron këtë vit 39 ndeshje me fanellën e kampionëve në fuqi të Evropës, nga ku ka shënuar vetëm 9 gola. Së fundmi, francezi është intervistuar nga edicioni spanjoll i revistës së famshme “Vanity Fair”, ku ai nuk ka ngurruar t’u kundërpërgjigjet kritikave, apo edhe të flasë për çështje të tjera, si ato që e mbajnë larg kombëtares së “gjelave”. Sipas Benzema, lojtarët e mëdhenj gjithnjë kritikohen, sepse kështu mund të shiten gazetat. Për këtë ai thotë se nëse ka zhvilluar një ndeshje të keqe, nuk ka nevojë të lexojë apo të dëgjojë lajmet për ta kuptuar. Nuk mund të mungonin edhe disa fjalë për çështjen e famshme te kombëtarja e Francës, atë të Mathieu Valbuena. Benzema shprehet se kurrë nuk e ka kërcënuar apo i ka kërkuar para Valbuenas.
Në momentin e skandalit, sulmuesi i Real Madrid u arrestua dhe qëndroi në qeli për 1 natë, dhe rikthimi ne Madrid siç tregon vetë ai, ishte mjaft i vështirë, por aty i pari që e priste ishte presidenti i skuadrës, Florentino Perez, i cili i tregoi se të gjithë në Spanjë e besonin dhe e mbështesnin. Për këtë Benzema thotë se do t’i jetë gjithnjë mirënjohës “Bernabeu”-t, pasi që nga ai çast, të gjithë madrilenët u kthyen në një familje për të. Ndërkohë më në fund ka ardhur edhe një përgjigje nga ana e 30-vjeçarit edhe për faktin se pse ai nuk e këndon himnin e Francës, “Marseillaise”-n. Sulmuesi shprehet se teksti i kësaj kënge bën thirrje për luftë dhe është mjaft i dhunshëm, diçka qe ai nuk e pëlqen aspak. Një arsye të njëjtë pati dhënë kohë më parë edhe legjenda franceze, Michel Platini, që shtonte se e dashuronte himnin francez, por nuk e shihte të përshtatshme për t’u kënduar në një ndeshje futbolli.