Benjamin Sesko shpjegon arsyen e qëndrimit tek Leipzig dhe refuzimin e disa klubeve me emër të kontinentit, sikurse janë Manchester United, Chelsea, apo Arsenal. Në fillim të verës, slloveni ishte një ndër lojtarët më të komentuar të merkatos, teksa largimi i tij nga Gjermania dukej i sigurt dhe pritej transferimi në një klub të madh. E pikërisht atëherë kur mendohej se një lëvizje e tillë do të kryhej shpejt, Sesko bëri tërësisht të kundërtën e kësaj. Sulmuesi i qendrës vendosi të rinovonte kontratën me Leipzig deri në vitin 2029-të, duke i lënë të gjithë thuajse të befasuar. Një vendim të tillë, e ka shpjeguar vetë lojtari, i cili ka sqaruar kësisoj edhe arsyen kryesore që vendosi të mbetej pjesë e skuadrës së trajnerit Marco Rose. “U mendova gjatë për zgjedhjen time. Besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur. Unë thjesht doja të përfitoja më tepër eksperiencë, të mësoja më shumë dhe të mos merrja një vendim të nxituar. Leipzig është një klub i shkëlqyer, që më garanton pikërisht atë që mua më duhet për të bërë hapin e radhës. Vizioni i këtij klubi është i qartë; këtu punojmë të gjithë të bashkuar në një qëllim, për t’u rritur sa më shumë dhe objektivat tona janë gjithmonë të larta”, ka thënë Sesko, i cili, pjesë e klubit gjerman, u bë në verën e 2023-shit. Në sezonin e tij të parë me Leipzig, slloveni shënoi 18 gola dhe 2 asiste, në 42 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet.