Benjamin Pavard është lojtari i radhës që flet mbi pritshmëritë e sezonit të Interit. Kur nuk jemi shumë larg fundit, zikaltërit janë në garë në të gjitha kompeticionet, çka ka bërë që në ambientin zikaltër të besojnë se mund të arrihet diçka historike, siç është tripleta. Këtë herë është Benjamin Pavard që ka folur për mediat. Mbrojtësi zikaltër ka thënë se në futboll çdo gjë është e mundur të arrihet, dhe për këtë duhet luftuar deri në fund.
“Në futboll gjithçka është e mundur, edhe tripleta. Mjafton që shpirti i garës të jetë aty. Kam besim, sepse e dalloj që në stërvitje japim të gjithë maksimumin. Asnjëherë nuk duhet të ndalemi së fituari”, ka deklaruar ish-lojtari i Bayern Munich. Do të jenë pikërisht bavarezët ata që Interi do të ndeshet në çerekfinalen e Champions League dhe për Pavard kjo do të jetë një sfidë e veçantë. Në lidhje me këtë përballje, francezi ka thënë se asnjë prej skuadrave nuk mund të cilësohet favorite. Sipas tij, gjithçka është në ekuilibër total, 50 me 50.
Benjamin Pavard është duke përjetuar sezonin e tij të dytë në radhët e Interit. Në të kaluarin, ai arriti të fitonte titullin kampion, kurse në edicionin actual, Interi është në garë për të fituar të gjithë trofetë dhe në kampin zikaltër besojnë shumë se mund të përsëritet suksesi i vitit 2010 me trajner Jose Mourinhon.