Benitez mes Liverpulit e Madridit: Ja si e shoh finalen e Champions…

Sport

benitez
Një nga ata që do ta përjetojnë në mënyrë speciale finalen e Champions League më 26 maj, midis Realit dhe Liverpulit është Rafa Benitez. Tekniku aktual i Njukasëllit, që ka qenë drejtimin e këtyre dy skuadrave, duke folur për “Marca” ka deklaruar se është kurioz të shohë ballafaqimin e përvojës së Realit me intensitetin e lojës së Liverpulit. “Do të jetë vërtet një finale interesante. Mjafton të shihje Realin kundër Juventusit dhe Bajernit për të kuptuar se ata kanë përvojë dhe cilësi. E dinë sesi të administrojnë situatat e vështira gjatë lojës. E kjo sigurisht që është një plus”, ka thënë spanjolli. Tek Liverpuli, ai vlerëson sidomos lojën e shpejtë, që e karakterizon skaudrën e Klopp. “Nga ana tjetër, kemi një ekip me intensitet të lartë, cilësi e ritëm. Pikërishti, ritmi i Premier League e dallon mbi ligat e tjera. Këtë, Liverpuli e tregoi kundër Romës”, vijoi Benitez.
Gjithsesi, 58-vjeçari nuk arrin të shohë një fitues të qartë të kësaj finaleje. Sipas tij, të dyja ekipet kanë mundësi të fitojnë dhe zhvillimi i lojës do të varet shumë se kush skuadër do të shënojë e para. “Kam mjaft respekt për të dy skuadrat. Le të fitojë më i miri!”, është mjaftuar të thotë Benitez, sa i takon skuadrës që do të ngrejë trofeun në Kiev.

rafa
Një trofe, që vetë ai e ka shijuar në 2005-n, kur drejtoi Liverpulin për një periudhë 7-vjeçare. Mirëpo, spanjolli nuk përjetoi një periudhë për t’u mbajtur mend në 6 muajt e qendrimit në krye të Realit, përpara 2 vitesh e gjysmë. Pikërisht në janar të 2016 ai u shkarkua si pasojë e skualifikimit nga Kupa e Mbretit, por mbi të gjitha pas humbjes 4-0 të pësuar në “El Clasico”. Ishte pikërisht ai moment kur timonin e mori Zinedine Zidane që e udhëhoqi Realin drejt suksesit të dyfishtë në kampionat dhe Evropë, me të njëjtin grup lojtarësh. E tashmë kërkon edhe Championsin e 3-të radhazi. “Ata që e kuptuan dhe analizuan disi atë që ndodhi brenda klubit, e shpjegojnë gjithçka. Por nuk ishte aq keq sa njerëzit mendojnë. Disa gjëra u bënë tepër seriozisht dhe profesionalisht. Gjithsesi mund të them se kam kujtime të bukura nga Madridi”, kujton tani Benitez.