Në javën e 31-të të Primeira-Ligas, Benfica arriti të zgjerojë më tej distancën nga Porto duke hedhur seriozisht bazat për të fituar titullin në kampionatin portugez. Si fillim të premten Porto bëri një hap të gabuar në transfertën me Rio Aven duke hedhur tutje një avantazh prej dy golash që e kishte arritur në pjesën e parë. Brahimi dhe Marega dhanë idenë se për skuadrën e Sergio Conceicaos gjërat do të shkonin mirë. Por nuk rezultoi kështu. Vendasit reaguan fort në pjesën e dytë dhe arritën të barazonin në 5 minutat e fundit. Santos dhe Ronan në minutën e 90-të vulosën rezultatin 2-2 duke ndalur Porton për herë të parë që prej humbjes së 2 marsit që dragojtë kishin pësuar në përballjen me Benfican. Pikërisht Benfica mundi të përfitojë edhe pse përballë kishte një sfidë goxha të vështirë këtë fundjavë. Fajkojtë e Bruno Lages pësuan gol nga Eduardo në pjesën e parë, por arritën t’i përmbysnin gjërat në pjesën e dytë. Plot 4 gola shënun luzitanët me anë të treshes Pizzi, Dias dhe Silva. U mbyll 4-1 dhe Benfica vazhdoi kështu rrugën drejt objektivit të vetëm të mbetur në lojë, titullin kampion. Ata tashmë kryesojnë me 78 pikë, 2 më shumë se sa Porto, që nuk favorizohet as nga kalendari, pasi përpara ka edhe një përballje me Sportingun. Luanët e Lisbonës nga ana e tyre fituan këtë fundjavë 2-0 ndaj Guimaraes. Raphinha dhe Phelype mundën ta shkurtonin më tej diferencën me Porton në vetëm 6 pikë. Vendi i dytë mundëson Champions League-ën, ndaj Sportingu duket se kërkon ta luajë deri në fund.