Benfica kualifikohet në çerekfinale të UEFA Champions League. Pasi kishin fituar takimin e vajtjes 2-0 në transfertën e Club Brugge, në shtëpi, Shqiponjat e kthyen në një festival golash. Në “Estadio Da Luz”, Benfica triumfoi 5-1, me autorët e golave, Rafa Silva, Joao Mario, David Neres dhe një dopietë e Goncalo Ramos. Golin e nderit për miqtë e shënoi Meijer 3 minuta nga fundi i kohës së rregullt.
Me paraqitjen ndaj belgëve, sulmuesi Ramos sapo ka nisur të përgatisë terrenin për t’u larguar në një klub të madh europian në merkaton e verës. Me dy gola dhe një assist ndaj Brugge, Ramos u bë lojtari më i ri i Benficas dhe i dyti i kompeticionit që përfshihet në 3 gola brenda një ndeshje të vetme dhe këtë arriti ta bënte në moshën 21 vjeç e 260 ditë. Në vend të parë renditet Erling Haaland, me 3 gola ndaj Sevillas në Shkurt të 2021-shit, në moshën 20 vjeç e 211 ditë.
Kualifikimi mes 8 më të mirave të Europës ka marrë një vlerë të veçantë për Benficën. Shqiponjat janë kualifikuar në çerekfinale të Champions League për të dytin vit radhazi, diçka që kishte ndodhur për herë të parë që nga edicioni 1967/68 dhe 1968/69.
Skuadra e Roger Schmidt vazhdon rrugëtimin fantastic të sezonit, si në Champions League, e gjithashtu në kampionat. Pasi ka siguruar biletën për më tej, Benfica pret me qetësi shortin, për të mësuar kundërshtarin e rahdës.