Bruno Lage, trajneri i Benfikës:
“Barcelona është një kandidatet për të fituar Ligën e Kampionëve. Kanë një ekip me lojtarë individualë fantastikë, të cilët tregojnë ADN-në e Barcelonës në cdo paraqitje që bëjnë. Pa mohuar edhe se vërehet qartë ndikimi që ka pasur te skuadra një trajner i nivelit të lartë si Hansi Flick. Ata kanë një lojë që bazohet shumë në vertikalizime dhe sulmojnë përpara me vetëbesim të madh.
Sa i takon skuadrës që unë drejtoj, mbi të gjitha do të veçoja dy aspekte themelore. Njëri është se ne fokusohemi tek vetja dhe mënyra se si duam të luajmë, si me top ashtu edhe pa top. Në veçanti, duhet të kërkojmë sesi të krijojmë probleme për repart mbrojtës si ai i Barcelonës që luan shumë lart. Kurse aspekti tjetër, është jetik dhe bëhet fjalë pikërisht për mbështetjen e tifozerisë, që duhet të kemi në anën tonë, prej faktit që luajmë në shtëpinë tonë, para publikut tonë të zjarrtë”.
Barreiro (lojtar i Benfica):
“Fatkeqësisht, nuk mund të them shumë për taktikat tona. Do t’i shihni në fushë. Ajo që mund të them është se ne jemi gati të japim gjithçka dhe ta fitojmë ndeshjen, me mbështetjen e tifozëve. Ndihem rehat me ekipin kur mbrohemi, por dhe kur sulmojmë. Më pëlqen të avancoj shpesh deri në zonën kundërshtare. Dua të krijoj hapësirë për shokët e skuadrës dhe madje të shënoj gola vetë. Sigurisht, është gjithmonë pozitive të dish se puna jote po vlerësohet dhe që merr lëvdata. Por gjëja më e rëndësishme është të vazhdosh në këtë rrugë. Në momentet më të vështira, është e rëndësishme të dish cilësitë që zotëron dhe kurrë të mos heqësh dorë!”
Hansi Flick, trajner i Barcelona:
“Mendoj se ndeshjet e ardhshme do të tregojnë nëse jemi ndër favoritët apo jo në këtë kompeticion. Champions League është mjaft e vështirë për t’u fituar, por duhet të përpiqemi shumë. Për momentin shoh Liverpool si favorit, pasi bëhet fjalë për një ekip me fuqi të jashtëzakonshme. Është një nga ekipet e mia të preferuara në botë për momentin.
Ndihem i emocionuar për rikthimin në stadiumin ku në vitin 2020 kam fituar Champions League me Bayern Munich. Këtu kam kujtime të shkëlqyera. Pa harruar pastaj që kundërshtari ynë, Benfica është një ekip që luan shumë mirë, është kënaqësi ta shohësh si ndërton lojën. Angel Di Maria është një nga lojtarët e mi të preferuar…. Të shohim si do shkojë. Qëllimi ynë është të fitojmë kundër Benfica. Do të ishte një hap i madh për ne, dhe duam ta arrijmë këtë. Në pozicionin ku jemi, duke qenë të dytët, është e rëndësishme të sigurojmë këto pikë.
Skuadra po punon me përqendrim dhe po luan në mënyrë fantastike. Siç thashë pas ndeshjes me Getafe, ky është sezoni im i parë këtu. Nuk kisha përvojë në La liga dhe nuk e dija si do luanin kundërshtarët. Ka shumë ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit, dhe mund të kursejmë dy ndeshje nëse shmangim ‘play-off’ duke përfunduar në tetëshen e parë”.
F.Torres (lojtar i Barces):
“Liga e Kampionëve është gjithmonë një kompeticion shumë i rëndësishëm me një atmosferë ndryshe. Ne duam të fitojmë tri pikët. Jam shumë i lumtur që mund të luaj në “Da Luz”. Do të jetë një ndeshje e shkëlqyer mes dy skuadrave historike. Ne do të përpiqemi ta çojmë ndeshjen në drejtimin që duam. João Félix më ka treguar për futbollin portugez, kështu që unë e di se sa mirë po bëjnë ata në kampionat. Jam rikuperuar dhe tani trajneri më jep besim. Gjithmonë përpiqem ta shpërblej në çfarëdo mënyre që mundem. Nuk më pëlqen të jem zëvendësues, por duhet të përfitoj nga minutat e aktivizimit, për të treguar se mund të jem një titullar në këtë skuadër. Është një kompliment që trajneri i Benfica-s na rendit si favorit. Ne jemi duke bërë mirë në Champions League deri tani”