Pas 30 javësh të luajtura në sezon të rregullt, kampionati belg hyn tashmë në fazën e dytë, në atë të “play-off”-it ku vendosen titulli kampion dhe biletat për pjesëmarrjen në kupat e Evropës. Sipas rregullores 6 skuadrat kryesuese vazhdojnë një mini-kampionat mes tyre me pikë të përgjysmuara. Kështu Club Brugge që kryesonte sezonin e rregullt me 67 pikë, 12 më shumë se Anderlechti që kishte 55, tashmë do të ketë një distancë prej vetëm 6 pikësh me totalin që bën fjalë për shifrat 34 dhe 28 pikë. Të gjithë kanë shanse për të fituar, kjo pasi në lojë janë nga 2 përballje me secilin kundërshtar. Kështu edhe një skuadër si Standard Liege që arriti play-off-et vetëm në ndeshjen e fundit, mundet të luaj për titullin. Në të tilla ujëra janë edhe Charleroi, Gent dhe Genk.
Vëmendja kryesore shkon te sfidat direkte mes Club Brugge dhe kampionëve në fuqi, Anderlechtit të cilët janë dhe më favoritët. Fitorja 5-0 e zikaltërve më 17 dhjetor ishte dërrmuese për skuadrën e Vanhaezebrouck. Në fakt për klubin nga Brukseli ishte humbja më e thellë e këtyre 20 viteve të fundit në futbollin belg. Dëshira për revanzh mbetet e madhe ndërsa vlen të thuhet se për vitin 2018-të, gjërat nuk kanë shkuar mirë për Club Brugge. Mes muajve janar dhe shkurt, skuadra e Ivan Lekos vuajti 7 javë radhazi pa fitore. Loja e dobët zhgënjeu tejmase trajnerin kroat, që e ka deklaruar hapur se përpara, faza “play-off” kërkon krejt tjetër angazhim kjo nëse Brugge synon ta festojë në fund titullin e 15 kampion të Belgjikës.