Start me pikë të plota për Anderlehtin e Besnik Hasit, që pas dy javësh të Jupiler Leagues belge e sheh veten në krye thuajse i pashqetësuar nga rivalët, përderisa aktualisht të njëjtën seri rezultatesh kanë arritur vetëm ekipe si Ostende dhe Sant Truiden.
Fitorja e radhës, që pason atë me Vasland Beveren, u fiksua me rezultatin 2-0 në transfertë ndaj Leuven. Përcaktues ishin golat e realizuar në mesin e pjesës së dytë brenda 6 minutave nga Syla e Tielmans. Ndërkohë që bëri debutimin e tij në 10 minutëshin e fundit edhe sulmuesi i sapoardhur Stefano Okaka.
Mjaft larg skuadrës së Hasit që kryeson për momentin, gjenden kampionët e Klub Bryuzh, që kanë gjetur fitoren pas humbjes zhgënjyese të javës së parë 2-1 ndaj Sant Truiden. Këtë radhë, skuadra e ish-portierit legjendar Pred’Home ka fituar pastër 3-0 ndaj Mechelen, falë autogolit të Paulusen në pjesën e parë dhe realizimeve të Diabi me 11-metësh e Dierks në të dytën.
Sukses të rëndësishm pas hapave fals në ndeshjen e parë arriti edhe Standard Liezh 2-1 ndaj Zulte. Po ashtu edhe Gent përballë Genk, me shifrat minimale 1-0.