Belgjika pret biletën e para për Euro 2020, Lukaku-rekord

Sport

Belgjika është bërë përfaqësuesja e parë që kualifikohet direkt nga eleminatoret, për në Kampionatin Evropian, që do të mbahet në vitin 2020. Skuadra e Roberto Martinez e mposhti 9-0 San Marinon, duke barazuar rekordin e rezultatit më të thellë të fiksuar në histori e mbi të gjitha duke siguruar biletën për “Euro 2020”.


Sulmuesi i Interit, Romelu Lukaku ishte ai që bëri historinë në mbrëmjen e së enjtes, duke qenë lojtari i parë që realizon 50 gola për përfaqësuesen e Belgjikës. Ish-lojtari i Chelsea-t dhe Manchesëter United gjeti rrjetën në ndeshjen kualifikuese kundër San Marinos në minutën e 28-të, duke fiksuar kuotën rekord. Por më pas, shumë shpejt i shtoi koleksionit edhe një tjetër gol, që ishte i 51-ti. Për t’u theksuar është fakti se ai e arriti këtë rekord të madh në vetëm 83 paraqitje me kombëtaren belge.
Ndër ndeshjet e tjera të së enjtes, për t’u veçuar ishte edhe Kroacia, që duket se është gjithnjë e më pranë Euro 2020, pasi mundi Hungarinë me rezultatin 3-0. Kurse Uellsi nuk ka arritur të shënojë fitore, përderisa skuadra e Ryan Giggs u ndal në 1-1 përballë Sllovakisë.