Silvio Berlusconi është një figurë mjaft e njohur në futboll, pasi njihet si presidenti legjendar i Milanit, klub me të cilin ai fitoi gjithçka. Pas thuajse 30 vjetësh si president i kuqezinjve, vitin e kaluar “kavalieri” e shiti skuadrën tek kinezi YoungHong Li, për një shifër prej 740 milionë eurosh. Por Milani vazhdon të ketë vështirësi në rrugën drejt rikthimit në krye të futbollit evropian dhe Berlusconi ka befasuar të gjithë teksa ka pohuar se nëse situata do të vazhdojë kështu, atehere ai do ta riblejë klubin. 81-vjeçari e ka pranuar diçka të tillë gjatë një tubimi politik me partinë e tij “Forza Italia” dhe ka shkaktuar jo pak reagime.
“Me mënyrën se si po shkojnë gjërat, unë do të përfundoj duke e riblerë klubin.”- është shprehur fillimisht Berlusconi. Ai shton gjithashtu se shitja e klubit ka ndikuar edhe në popullaritetin e tij në politikë dhe se shumë njerëz e fajësojnë pikërisht atë për gjendjen aktuale të klubit. Milani së fundmi do të përballet me ndëshkime nga UEFA për shkak të shpenzimeve të mëdha gjatë merkatos, verën e kaluar, ndërsa për momentit, presidenca aktuale e kuqezinjve gjendet në vështirësi sa i përket shlyerjes së detyrimeve ndaj fondit amerikan “Elliot Management”.