Beckham vazhdon të përballet me probleme në krijimin e klubit të tij të futbollit

Sport

davdebch
5 vite më parë, David Beckham zbuloi se kishte në plan të krijonte një skuadër të tij të futbollit, dhe për të realizuar ëndrrën e tij, ai zgjodhi qytetin e Miamit. Ish-futbollisti i Manchester United dhe Real Madrid arriti të siguronte partnerët e tij në financimin e projektit më të madh e të rëndësishëm të jetës së tij, por problemet burokratike nuk i janë ndarë në asnjë moment.
Për të patur një skuadër pjesë të “MLS”, duhet që Beckham të ndërtonte një stadium, diçka që anglezi pranoi ta bënte me kënaqësi, por ligjvënësit në Komisionin e Miami e kanë zvarritur këtë projekt me muaj të tërë, pasi nuk aprovonin vendin e përzgjedhur nga Beckham dhe shoqëria që mbështet financimin e tij.
Beckham gjithësesi vazhdon të ngulmojë për t’i shkuar deri në fund realizimit të projektit të tij, dhe për këtë media amerikane shkruajnë se ai duhet të fitojë kundër një qyteti të tërë. Kjo vjen për shkak të një investimi jo shumë kohë parë në stadiumin e skuadrës së bejzbollit, Miami Marlins, që i kushtoi taksapaguesve amerikane plot 488 milionë dollarë, ndërkohë që stadiumi nuk mbushet asnjëherë më shumë se gjysma e kapacitetit. Beckham ka në projket një stadium prej të paktën 25 mijë vendesh, dhe anglezi duket i vendosur për të krijuar skuadrën e tij të futbollit në Miami.