Bayern Munich surprizon në momentet e fundit të merkatos së Janarit. Kampionët e Bundesligës kanë mbyllur marrëveshjen për transferimin e Joao Cancelo nga Manchester City. Bavarezët do I sigurojnë shërbimet e mbrojtësit të krahut fillimisht në formën e huazimit deri në fund të sezonit, e më pas do blejnë në mënyrë përfundimtare kartonin e tij.
Përgjatë dy edicioneve të fundit, 28 vjeçari ka qenë një ndër futbollistët më të aktivizuar në radhët e Cityt, mirëpo papritur, situata ka ndryshuar tërësisht rrjedhë. Cancelo nuk po gjente më hapësirë në formacionin e trajnerit Pep Guardiola, e si pasojë ka vendosur të ndryshojë klub.
Nga ana tjetër, Bayerni e ka parë të domosdoshme ndërhyrjen në merkato për një mbrojtës të djathtë. Mazraoui është I dëmtuar, ndërsa në krahun tjetër, qëndresa e Benjamin Pavard nuk është e sigurt, sepse francezi mund të largohet në verë, me destinacion Barcelonën.
Në rrethana si këto, Bayerni ka nisur menjëherë bisedimet me Cityn mbi Joao Cancelon. Klubet kanë arritur marrëveshjen, por njëkohësisht edhe vetë dëshira e portugezit ishte që të bashkohej me klubin gjerman, pasi në “Allianz Arena” I ka minutat të garantuara nën urdhërat e trajnerit Julian Nagelsmann.
Cancelo u bë pjesë e Cityt në verën e 2019-tës, e prej atëherë luajti 154 ndeshje në të gjitha kompeticionet me Blutë e Manchesterit, duke fituar ndër të tjera edhe dy tituj kampionë.