Bayern vjen me “fytyrë të re” ndaj Olympiacos, grekët luajnë shpresat e fundit

Sport

Hans-Dieter Flick, trajneri i përkohshëm i Bayern: “Golat që ka pësuar së fundmi skuadra nuk janë në stilin e Bayern Munich. Do të ndryshojmë disa gjëra nga ana taktike. Dua të jem aktiv dhe të marr iniciativën për të shtyrë skuadrën përpara. Ekipi ka lojtarë cilësorë në aspekte të ndryshme, të cilat dua t’i shoh të shfaqen në fushë sa herë që kemi topin nën kontroll. E kam bërë të qartë se do të flasë me të gjithë lojtarët, njëri pas tjetrit. Dua t’i bëj lojtarët të kuptojnë mënyrën se si kanë luajtur dhe se çfarë duhet të përmirësojnë. Është e rëndësishme që secili të njihet me potencialin që ka brenda vetes, pasi kjo do i motivojë më shumë dhe mund t’i bëjë të marrin më shumë detyra mbi vete.”
Joshua Kimmich, mbrojtës i Bayern: “Kur një klub ndryshon trajnerin, do të thotë se edhe lojtarët kanë dështuar gjithashtu. Duhet të shohim nga vetja dhe të kuptojmë se ku duhet të përmirësohemi. Mendoj se edhe lojtarët duhet të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre. Hans Flick është një njeri i zoti që na i ka bërë disa gjëra të qarta që në fillim. Nuk duhet të nisemi nga ndeshja e kaluar me Olympiacos. Tani gjërat do të jetë shumë më ndryshe dhe ne kemi akoma më shumë arsye për të treguar se duam të shkojmë sa më larg në këtë sezon.”
Pedro Martins, trajneri i Olympiacos: “Nuk pres ndryshime të mëdha tek Bayern, pavarësisht largimit të trajnerit. Gjithësesi, ne përqëndrohemi tek loja jonë dhe ndryshimet që do të bëjmë pas rezultatit të ndeshjes së kaluar. Kemi bërë disa gabime që mendoj se mund t’i shmangim në rast se situatat do të përsëriten. Duhet t’u japim gjërave një tjetër drejtim dhe të përpiqemi të luajmë pa frikë. Në mënyrë që të mos ndëshkohemi, na duhet të ruajmë përqëndrimin në çdo situatë. Ata kanë lojtarë të jashtëzakonshmë në çdo repart të fushës, prandaj duhet të jemi gjakftohtë e të mos përqëndrohemi vetëm tek një element i caktuar.”
Kostas Tsimikas, mbrojtës i Olympiacos: “Kam shumë pritshmëri nga kjo ndeshje. Jo vetëm që mendoj se skuadra do të bëjë një lojë të mirë, por do zbresë në fushë vetëm për të arritur tek fitorja. Pavarësisht se përballë kemi një kundërshtar të një niveli shumë të lartë, kemi treguar se i kemi të gjitha mundësitë për të arritur gjëra pozitive. Duhet të jemi më kujdesshëm se në sfidën e kaluar dhe të shfrytëzojmë më mirë rastet që na paraqiten. Kemi punuar shumë, bashkë me trajnerin, për të ndërtuar një plan loje. Nëse e ndjekim si duhet këtë plan, atëherë mendoj se mund të arrijmë diçka.”