Cristiano Ronaldo ishte protagonisti kryesor i përmbysjes 2-1 që Reali i Madridit arriti ndaj Bayernit në Allianz Arena. Në ndeshjen e parë çerek-finaliste të Champions League-ës, të ndihmuar edhe nga dalja me të kuq e Javi Martinez, Madrilenët korrën një rezultat optimist për kalimin në gjysmë-finale. Në këtë pikë dha goxha kontribut Ronaldo i cili kapi kuotën e 100 golave në kompeticionet evropiane duke u bërë i pari futbollist që shënon këtë statistikë. Nga ana tjetër shifrat për Los Blancos janë edhe më breslënëse. Skuadra e Zidane shënon gjithmonë gola, madje me një rekord prej 53 ndeshjesh radhazi në të gjitha kompeticionet dhe takimi i fundit në të cilin nuk ka shënuar qoftë dhe një gol daton vitin e kaluar në atë barazim 0-0 ndaj Manchester City-it në gjysmë-finalet e Champions League-ës. Për këtë ecuri Zidane nuk ka folur shumë, por përgjithësisht pas ndeshjes u ndal të falenderojë fillimisht Carlo Ancelottin, për të cilin tha dhe njëherë se gëzon respekt maksimal për të, si një mik i vërtetë. Më pas foli për Ronaldon. “Cristiano edhe kur duket sikur nuk është në formë, në ndeshjet e rëndësishme lë gjithmonë shenjë”, ka thënë Zidane, i cili i pyetur rreth një finale të hamendësuar me Juventusin, ai ka refuzuar të flasë konkretisht për një ndjesi rreth ish-skuadrës së tij, duke rikujtuar se momentalisht Reali nuk është kualifikuar ende. “Kemi fituar vetëm ndeshjen e parë, por nuk mund të mendojmë se jemi tashmë të kualifikuar. Bayern do të na e vështirësojë punët pasi i ka plotësisht cilësitë për ta bërë këtë gjë” ka thënë trajneri francez.