Paçka se e humbi 2-1 ndeshjen e parë me Realin e Madridit, Carlo Ancelotti është përpjekur ta shohë situatën me optimizëm duke thënë se Bayerni i Munich-ut ka ende shpresa për t’u kualifikuar. Sipas trajnerit italian fakti që Reali i Madridit nuk mundi të shënojë një gol të tretë, e lë sfidën të hapur për ndeshjen e kthimit. “Madrilenët mund ta mbysnin ndeshjen duke shënuar sërish, por nuk ja dolën dhe kjo na lë sërish shanse për kualifikim. Sigurisht në Madrid ka për të qenë e vështirë, por nëse luajmë sikurse bëmë në pjesën e parë përgjatë 90 minutave dhe nga ana tjetër nuk e mbyllim me një lojtar më pak, gjërat mund të përmbysen” – ka thënë Ancelotti. Sipas trajnerit të Bayernit, përtej situatës që ngjau në fushë ku Vidal humbi një penallti dhe Martinez u nxorr me të kuq, gjermanëve i mungoi Robert Lewandowski, i cili vuajti një lëndim në shpatull dhe mbrojtësi Mats Hummels. Pikërisht fakti se në ndeshjen e ktihimit do jenë këta dy elementë të rëndësishëm, sipas Ancelottit, i shton edhe më shumë shpresat për një rezultat të mirë në Bernabeu. Ndërkohë për këtë sfidë ka folur edhe portieri Manuel Neuer, i cili në shumë raste qe vendimtar duke i mohuar plot gola Realit të Madridit. “Eshtë tejet e rëndësishme që sfidën tjetër të paktën ta mbyllim me 11-të lojtarë. Mund të kishte përfunduar edhe më keq, por ne besojmë se mund t’ja dalim sërish. Në pjesën e parë ishim ne skuadra më e mirë dhe mund ta kishim arkivuar rezultatin me dy-tre gola të tjerë, gjë të cilën duhet ta arrijmë në ndeshjen tjetër” – ka thënë Neuer.