Bayern përplaset me kombëtaren gjermane, çështja Neuer-Ter Stegen bëhet serioze

Sport

Ndonëse dukej si një problem konkurence që trajneri Joachim Low do e zgjidhte shumë shpejt, përplasja mes Manuel Neuer dhe Marc Andre ter Stegen ka marrë përmasa serioze. Dy portierët kanë qenë vazhdimisht në përplasje verbale me njëri-tjetrin për rolin e portierit të parë të kombëtares së Gjermanisë, me gardianin e katalanasve që shpesh ka shfaqur zhgënjimin dhe zemërimin e tij kundrejt zgjedhjeve të Joachim Low. Neuer nga ana tjetër nuk ka lëshuar vendin e tij, duke thënë se mbetet ende portieri më i mirë i Gjermanisë. Tashmë pjesë e kësaj çështjeje është edhe Bayern Munich, drejtuesit e së cilës kanë shkaktuar polemika të mëdha në vendin e tyre. Presidenti Uli Hoeness ka deklaruar se në rast se Manuel Neuer nuk do të jetë më portieri i parë i kombëtares së ‘panzerave’, atëherë asnjë lojtar i Bayern Munich që do të thirret nga federata nuk do të luajë për skuadrën e Joachim Loë.

Hoeness tha se do të refuzonte largimin e të gjithë lojtarëve që kërkon Low, në rast se Neuer nuk mbetet zgjedhja e tij e parë. Megjithatë, numri 1 i Bayern Munich duket se ka bërë hapa prapa, pasi me anë të zëdhënësve të tij, ka deklaruar për ‘Der Spiegel’ se ai nuk do të flasë më për cështjen e portierit të parë të kombëtares gjermane. Mbetet për t’u parë se si do të zgjidhet situata e krijuar mes portierëve nga ana e trajnerit Joachim Low, i cili nuk është se gëzon një simpati të madhe nga tifozët apo drejtuesit e Bayern Munich. Kjo lidhet me ultimatumin që trajneri i ‘panzerave’ vendosi disa muaj më parë, kur thoshte se lojtarë si Muller, Boateng apo Hummels, nuk do të thirren më nga ana e tij.