Bayern, ofertë të majme për një lojtar juventin

Sport

Juventusi ka në duar një tjetër ofertë për Zhoao Kanselo. Tashmë është Bajerni i Mynihut që ka dalë përpara Mançester Sitin, bisedmet me të cilin duket po shkojnë drejt dështimit. Kjo për faktin se Citizens synojnë të përfshinin në operacion një shkëmbim me mbrojtësin Danilo, kurse klubi bardhezi kërkon vetëm para’ të thata.
Kaq është dashur që palët të jenë për momentin të distancuara. E në një situatë të tillë mund të përfitojnë kampionët e Gjermanisë, të cilët janë futur së fundi në garën për mbrojtësin e shpejtë portugez. Bavarezët janë duke rinovuar mbrojtjen, ku deri tani kanë marrë dy kampionë të botës si Lukas Hernandez dhe Benjamin Pavard. Mirëpo për të blinduar krahun e djathtë po mendojnë për Kanselon, i cili në fakt mund të përdoret shpesh edhe në një pozicion më të avancuar sesa mbrojtja.

Duke parë cilësitë e lojtarit juventin, drejtuesit e Bajernit mësohet se kanë përgatitur një ofertë prej 60 milionë euro, me synimin se do të mund të kënaqin pretendimet e kampionëve të Italisë, të cilët e morën nga Valencia për vetëm 40 milionë. Kështu, tani topi duket se qendron në fushën e bardhezinjve, megjithëse shumë do të varet edhe nga vullneti i vetë lojtarit, nëse dëshiron apo jo, të nisë një aventurë në Bundesligën gjermane. Ndërkohë, nëse largohet Kanselo, nuk është çudi që bardhezinjtë të rikthehen të interesohen për shqiptarin Elseid Hysajn, një nga benjaminët e trajnerit Mauricio Sarri.