Bayern nuk heq dorë nga Harry Kane, tjetër ofertë për sulmuesin e Tottenham

Sport

Bayern Munich nuk heq dorë nga Harry Kane. Kampionët e Gjermanisë, e dinë se nuk mund të gabojnë sërish, duke marrë përsipër rrezikun e një tjetër sezoni pa një sulmues qendre. Një gjë të tillë, ata e provuan në edicionin që lamë pas dhe skuadra hasi jo pak probleme në metrat e fundit të repartit të përparuar.

Në kushte si këto, Bayerni është vënë në ndjekje të sulmuesit të Tottenham, Harry Kane. Anglezi ka edhe një vit kontratë të vlefshme me Tottenham, por për ta lënë të lirë lojtarin, klubi londinez kërkon të paktën 100 milionë euro.

Si fillim, Bayerni ofroi 70 milionë euro për 29 vjeçarin, propozim që u refuzua menjëherë nga drejtuesit e Spurs. Mirëpo, përgjatë ditëve të fundit, gjermanët janë rikthyer sërish në aksion dhe këtë herë kanë trokitur me 80 milionë euro në dyert e Zambakëve të Bardhë. Megjithatë, edhe një herë tjetër, ata janë kthyer duarbosh në shtëpi.

Tottenham, qëndron i palëkundur. Që Kane të lihet i lirë, duhen me çdo kusht 100 milionë euro.

Mbetet për t’u parë sa do të zgjasë rezistenca e klubit nga Veriu i Londrës, sepse nëse kapiteni i tyre, nuk shitet këtë verë, atëherë ai përfiton të drejtën që të largohet me parametra zero në verën e ardhshme. Drejtuesit e Spurs këtë gjë e dinë shumë mirë, e duke parë këmbënguljen e Bayernit, nuk përjashtohet mundësia që në ditët e ardhshme të këtij afati kalimtar, palët, të ulen dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të kompletuar transferimin e Harry Kane në radhët e klubit kampion të Gjermanisë.