Bayern Munich zyrtarizon Coutinhon, zbulohen detajet e marrëveshjes me Barcelonën…

Sport

Pas një sezoni shumë të vështirë në radhët e Barcelonës, Philippe Coutinho ka kompletuar transferimin e tij tek Bayern Munich. Braziliani ka qenë ndër më të kritikuarit tek radhët e katalanasve, sidomos pas gjysmëfinales së humbur me Liverpool-in në ‘Champions League’ gjatë sezonit të kaluar.
Mesfushori u ble nga Barcelona në janarin e vitit 2018, për një shifër rekord për klubin katalanas prej 120 milionë eurosh. Trajneri Valverde preferonte ta aktivizonte Coutinhon në krah, çfarë bëri që braziliani të mos përshtatej dot në formacionin e kampionëve të Spanjës.


Me afrimin e Antoine Griezmann dhe me spekulimet e një rikthimi të mundshëm të Neymar, për brazilianin nuk kishte më vend tek Barcelona. Bayern Munich përfitoi nga situata për të arritur një marrëveshje mjaft të mirë. Braziliani do të luajë tek kampionët e Gjermanisë në sezonin e ri si një lojtar i huazuar dhe për këtë gjë, arkave të Barcelonës do t’i shtohen 8.5 milionë euro, që me gjasa do të përdoren për një nga këstet që katalanasit duhet të paguajnë tek Liverpool-i, pikërisht për kartonin e lojtarit në fjalë.


Gjithashtu, Bayern Munich do të ketë të drejtën ta blejë Coutinhon në fund të sezonit të ardhshëm për 120 milionë euro, nëse braziliani do të bindë me performancat e tij. 27-vjeçari do të kërkojë të rifitojë formën e tij më të mirë dhe të provojë se paraqitjet jo të mira tek Barcelona, kanë ardhur për shkak të vendimeve të gabuara taktike të trajnerit Valverde, diçka që e ka pohuar edhe vetë mesfushori brazilian.