Bayern Munich vs Real Madrid, TS1 HD, 21:00

Sport

Carlo Ançelotti, trajneri i Real Madrid:

“Gjithçka që ka ndodhur në të shkuarën, bart kujtime të bukura për ne, por sonte dotë jetë një histori tërësisht ndryshe. Kjo do të jetë ndeshja e parë e kësaj gjysmëfinaleje dhe jemi besimplotë. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se do të luajmë përballë një skuadre të organizuar. Bayerni është një ekip me kualitet dhe me lojtarë që zotërojnë talent të pakufishëm.

Nuk ka dyshim se jemi të lumtur për pjesëmarrjen tonë në këtë raund pasi jo shumë njerëz besuan se do ishim prezentë në këtë konferencë shtypi sot. Ia kemi dalë me përkushtim të madh, shumë punë dhe angazhim të vazhdueshëm.

Jemi në gjysmëfinale dhe aq sa jemi të shqetësuar, njëkohësisht kemi edhe besim se mund të arrijmë në një tjetër finale të UEFA Champions League. Megjithatë, nuk është një përballje që do të zgjasë 180 minuta dhe jo 90.

Bayerni është një skuadër të meriton respektin tonë maksimal. Ata nuk kanë pasur sezonin e tyre më të mirë në Bundesligë, por ata zhvilluan një performancë fantastike ndaj Arsenalit, që është një nga skuadrat më të mira në Europë. Historia e këtij klubi në Champions League është pak a shumë e ngjashme me historinë tonë dhe kjo ka një domethënie të madhe.

Nëse do të më duhet të bëj një krahasim, Bayerni është një ekip i rrezikshëm në tranzicion. Ata kanë lojtarë të shpejtë, të cilët mund të luajnë në pozicione të ndryshme, me pressing të lartë, ose edhe të mbrohen thellë në prapavijë… do të thoja gjithashtu se të dyja ekipet nuk zotërojnë një identitet fiks të lojës së tyre, çka do të thotë se mund të luajnë në mënyra të ndryshme.

Real Madrid i nënvlerësuar? Reali nuk mund të konsiderohet kurrë i nënvlerësuar në këtë kompeticion. Të gjithë e dinë se çfarë jemi të aftë të bëjmë. Të jem i sinqertë, ne ndihemi të respektuar në maksimum nga të gjithë në Champions League.

E shkuara ime me Bayern? Mund të konsiderohem mjaftueshëm me fat që trajnova këtë klub. Mund të kishte shkuar edhe më gjatë, por unë kalova 18 muaj të mrekullueshëm këtu. Kam kujtime mjaft të vukura dhe po ashtu kam ruajtur një marrëdhënie të shkëlqyer me Rummenigge.”

Federico Valverde, mesfushori i Real Madrid:

“Çdo ndeshje e luajtur në Champions League është e vështirësisë maksimale dhe për këtë arsye, çdo skuadër meriton respekt të pamasë. Bayerni ka fituar shumë trofe. Ata janë një skuadër sikurse Reali, që lufton deri në fund, deri në momentin kur të rrëmbejë titullin. Ndaj tyre duhet të tregojmë të njëjtin respekt, sikundër bëmë ndaj Manchester Cityt. Duhet të japim më të mirën nga vetja. Në skuadër kemi lojtarë të mëdhenj me kualitet të lartë dhe që duan të angazhohen në maksimum. Ata me të vërtetë duan që të fitojnë një tjetër trofe me Real Madrid.

Jemi të emocionuar. Kjo është hera e parë për mua që luaj kundër Bayernit në Champions League. Kam besim dhe me padurim po pres të luaj. Jam i lumtur për gjithçka që po përjetoj me këtë skuadër. Kur vesh këtë fanellë, duhet të vlerësosh dhe shijosh çdo moment të mundshëm. Të fitosh këtë trofe është diçka me një vlerë të çmueshme dhe një histori mjaft e bukur.

Jemi gati për një mbrëmje si kjo. Duhe të tregojmë respekt për kundërshtarin dhe për klubin që do të kemi përballë. Besimi ynë është i madh. Mbrojtësit, mesfushorët dhe sulmuesit, të gjithë jemi të emocionuar. Jemi gjithashtu të uritur për të prekur një tjetër finale dhe do të luftojmë për të plotësuar objektivin tonë.

Ançelotti? Ai më ka ndihmuar shumë, me gjithçka. Carlo ka luajtur një rol thelbësor në zhvillimin tim, duke më shtruar rrugën apo duke më treguar mënyrën sesi të përmirësohem, qoftë si lojtar, apo si njeri. Kjo gjë më ka zgjeruar horizontin dhe më ka bërë të mos e mbyll veten time në një pozicion të vetëm. Ndonjëherë, luaj në krah, pasi atje dëshiron trajneri. E vlerësoj shumë, e po ashtu e çmoj veten time, sepse arrij të përshtatem në çdo pozicion të mundshëm.”