Bayern Munich nuk dorëzohet për Sadio Mane. Oferta e parë e bavarezëve prej gati 30 mln eurosh në drejtim të Liverpool, u refuzua nga anglezët. Mirëpo kampionët e Bundesligës janë të vendosur për të mos bërë hapa pas.
Këtë herë, gjermanët e kanë rritur disi dozën dhe ofrojnë 35 mln euro për të marrë shërbimet e senegalezit, të cilët në këtë mënyrë përfitojnë edhe nga dëshira e vetë futbollistit për t’u larguar nga klubi I Meresyside.
Megjithatë, Liverpooli nuk pritet të dalë kundër dëshirës së sulmuesit, mirëpo edhe nënkampionët e Premier League kanë kushtet e tyre. Për të nisur negociatat për shitjen e Sadio Mane, Liverpool kërkon rreth 50 mln euro nga Bayern Munich.
Në fakt, një kërkesë e tillë nuk është rastësi, por nga pas qëndron një strategji. Në rast largimi të Mane, The Reds pritet të bëjnë menjëherë përforcimin e radhës në merkato. Fjala është për Darëin Nunez, sulmuesin e Benficas, i cili ka trazuar të gjitha klubet e mëdha, që prej kohësh tashmë rendin pas tij. Megjithatë, duke iu referuar këtu mediave ndërkombëtare, të kuqtë e Merseyside janë më të avantazhuar për të siguruar shërbimet e uruguajanit.
Për këtë arsye, 19 herë kampionët e Premier League synojnë të përfitojnë sa më shumë nga shitja e Mane, çka do u siguronte atyre pjesën më të madhe të milionave për blerjen e kartonit të Nunez, I cili kushton minimalisht 80 mln euro. Zhvillime të rëndësishme pritet të ndodhin gjatë ditëve të ardhshme në lidhje mbi çështjen në fjalë.