Bayern Munich në garë për të firmosur me brazilianin…

Sport

E ardhmja e Philippe Coutinhos do të jetë larg Barcelonës. Braziliani nuk ka patur shkëlqimin e pritur tek katalanasit dhe klubi ‘blaugrana’ po mendon ta largojë nga skuadra, qoftë edhe në formën e huazimit. Në këtë mënyrë do të bëhej vend në skuadër për mbërritjen e mundshme të Neymar.
Prej kohësh përflitet se Coutinho mund të jetë pjesë e operacionit që do të rikthejë Neymar tek katalanasit, pasi drejtuesit e PSG i pëlqejnë aftësitë e Coutinhos dhe besojnë se në Francë ai do të gjejë ambjentin e duhur për t’u rikthyer në formën më të mirë.
Megjithatë, në garë për shërbimet e lojtarit të Barcelonës është edhe Bayern Munich. Kampionët e Gjermanisë kanë kërkuar informacione rreth mundësisë së realizimit të një transferimi të tillë dhe ky lajm është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i klubit të Barcelonës.
Tek Bayern shpresojnë se mund të nënshkruajnë me Coutinhon në të njëjtën mënyrë si arritën dikur marrëveshjen me Real Madrid për James Rodriguez; huazim dy-vjeçar me të drejtë blerjeje. Por Barcelona vështirë se do e pranojë një propozim të tillë dhe në rast se gjermanët nuk kanë një ofertë mbi 100 milionë për brazilianin, atëherë katalansit do të përqëndrohen tek largimi i Coutinhos drejt PSG.
Më herët gjatë merkatos verore, Tottenham ishte pranë transferimit të Coutinhos, por klubi londinez nuk ia doli të gjente një marrëveshje personale me lojtarin. Ndërsa akordi me Barcelonën do të vinte në formën e huazimit dhe në arkat e katalansit do të shkonin 20 deri në 30 milionë euro, pasi kampionët e Spanjës shpresonin që nje vit në Angli mund të rikthente Coutinhon në formën e dikurshme.