Manuel Neuer nuk do të luajë në dy ndeshjet e radhës për Bayernin e Munich-ut. Portieri 31-vjecar i bavarezëve ka kryer një operacion të lehtë në këmbën e majtë, fillë pas stërvitjes së të mërkurës dhe riaftësimi i tij thuhet se do të kërkojë të paktën një javë. Ka qenë vetë klubi i Bayernit që e ka bërë me dije lajmin përmes një komunikimi për shtyp. “Për shkak të një lëndimi gjatë stërvitjes, mbrëmjen e së mërkurës doktor Markus Walther kreu me sukses një operacion të lehtë në këmbën e majtë të Neuer-it” – lexohej mes të tjerash nga njoftimi, ku theksohej se 31-vjecari nuk do të jetë në fushë në ndeshjet kundër Augsburgut dhe Hoffenheimit në Bundesligë. Te bavarezët janë të bindur se Neuer do jetë i gatshëm për sfidën në Champions League me Realin e Madridit, që luhet më 12 prill. Së fundmi Neuer humbi dy ndeshjet e kombëtares me Gjermaninë për shkak të disa problemeve muskulore. Ai nuk luajti si ndaj Anglisë ashtu edhe ndaj Azerbajxhanit. Me Bayernin, në këtë sezon ka qenë rregullisht titullar duke e ndihmuar skuadrën e Carlo Ancelottit që në Gjermani të mbajë kreun me 13 pikë distancë pas vetëm 25 ndeshjesh të luajtura.
Lexo gjithashtu: JUVENTUS-BARCELONA, DY LOJTARË TË LËNDUAR TË CILËT NUK DO TË LUAJNË