Bayern Munich kërkon Dusan Vlahoviç

Sport

Në pamundësi për të mbërritur tek Harry Kane, Bayern Munich pritet të ndryshojë destinacion dhe të provojë transferimin e Dusan Vlahoviç nga Juventusi. Ky është informacioni i radhës që ka pushtuar ballinat e mediave të huaja.

Për të siguruar shërbimet e Kane, kampionët e Gjermanisë, ofruan 100 milionë euro në drejtim të Tottenham. Megjithatë, kaq nuk ka mjaftuar dhe kjo është hera e 3-të që Bayerni refuzohet. Nga pala tjetër, anglezët nuk heqin dorë nga kërkesa e tyre, 120 milionë euro.

Në rrethana si këto, Bayerni nuk pranon të paguajë një shifër të tillë dhe si pasojë i ka kthyer sytë pikërisht nga Vlahoviç. Serbi, i pakënaqur me lojën e trajnerit Massimiliano Allegri, është mëse gati për të nisur një tjetër aventurë në karrierë.

Madje, që Bayerni të sigurojë Vlahoviç, është më e lehtë krahasuar me tentativat e njëpasnjeshme për Harry Kane. Sipas shtypit italian, Juventusi e konsideron çmimin e kartonit të Vlahoviç deri në 80 milionë euro. Nëse marrim parasysh që për Kane, Bayerni ofroi 100 milionë euro, atëherë kërkesa e Juventusit është mëse e përballueshme për 6 herë kampionët e Europës, të cilët në këtë mënyrë, mund të nxjerrin jashtë kontekstit edhe Chelsean, që po përpiqet të gjejë një gjuhë të përbashkët me Juventusin për një shkëmbim mes Vlahoviç dhe Romelu Lukakut.

Megjithatë, një pasqyrim më të detajuar të çështjes në fjalë, pritet të kemi në ditët vijuese të merkatos së verës.