Bayern Munich gati të paguajë 70 milionë euro për talentin italian!

Sport

bayern
Bayern Munich ka lajmëruar prej kohësh se do të jetë ndër skuadrat më aktive në merkato. Madje ende pa përfunduar sezoni, gjermanët kanë zyrtarizuar dy blerjet e para, Lucas Hernandez dhe Benjamin Pavard. Megjithatë, drejtuesit bavarezë vazhdojnë të jenë në kërkim të alternativave që do të zëvendësojnë dy veteranët e skuadrës, Franck Ribery e Arjen Robben, që kanë lajmëruar me kohë largimin e tyre. Nëse për vendin e francezit, trajneri Niko Kovac ka alternativa mjaft të mira si Serge Gnabry e Kingsley Coman, për vendin e Robben ende nuk gjetur një emër i duhur. Prej disa javësh është përfolur për një interesim të madh të Bayern për talentin e Chelsea-t, Hudson-Odoi, por pas dëmtimit të rëndë që pësoi 18-vjeçari, vëmendja mund të spostohet diku tjetër.

federico chiesa

Mediat italiane janë ato që kanë zbuluar se kampionët e Gjermanisë kanë kërkuar informacione për talentin e Fiorentinas, Federico Chiesa. 21-vjeçari mbetet një nga lojtarët më të dëshiruar të merkatos europiane dhe kësaj liste tashmë i është shtuar edhe Bayern. Skuadra bavareze flitet se është gati të paguajë deri në 70 milionë euro për kartonin e Chiesas, i cili me gjasa në verë do të braktisë Firenzen. 21-vjeçari numëron 35 ndeshje gjatë këtij sezoni, ku ka qenë gjithmonë pika kyçe e skuadrës vjollcë. Deri më tani ai ka shënuar 12 gola dhe ka shërbyer 8 asiste, ndërsa është edhe ndër lojtarët që krijon më shumë raste në kampionatin italian.