Thomas Tuchel ka marrë shuplakën e parë si trajner i Bayern Munich, vetëm pak ditë pas emërimit në krye të skuadrës. Të martën mbrëma, Bayerni priti në shtëpi skuadrën e Friburg, ndeshje e vlefshme për çerekfinalen e Kupës së Gjermanisë dhe në “Allianz Arena” ndodhi ajo që pak kush e priste.
Bayerni u mposht me rezultatin 2-1 dhe u eliminua nga Kupa, për të 3-tin edicion radhazi. Ndonëse vendasit e nisën shumë mirë takimin, duke kaluar në epërsi që në minutën e 19-të me anë të Upamecanos, duke krijuar idenë se përpara tifozëve të tyre, do të dhuronin një tjetër festival golash. Mirëpo, ndaj Freiburgut nuk do të funksiononte.
Në të 27-tën, Hofler realizoi nëj gol spektakolar, gjuajtja e të cilit, gati-gati perfekte u ndal mrekullisht në fundin e rrjetës, ndërsa në të 95-tën, Holer, përmbysi shifrat nga pika e bardhë e penalltisë.
Kjo ishte një natë historike e Friburgut, sepse kualifikohet kësisoj për të dytin sezon radhazi në gjysmëfinale të Kupës. Gjithashtu, kjo ishte fitorja e parë e Freiburgut në shtëpinë e Bayernit, nga 24 takimet e përgjithshme. Në 23 të mëparshmet, ata kishin pësuar 20 humbje dhe kishin marrë vetëm 3 barazime.
Për t’u rikthyer tek Bayerni, drejtuesit, nuk e kanë parë këtë eliminim si përgjegjësi të trajnerit, por kanë bërë thirrje që skuadra t’i përvishet punës. Klubi bavarez nuk është më në garë për të 3 titujt, ndërsa tashmë duhet t’i përqendrojë forcat në kampionat dhe në Champions League.