Bayern Munich dhe Harry Kanë janë vetëm 20 milionë euro larg

Sport

Bayern Munich dhe Harry Kanë janë vetëm 20 milionë euro larg. Ditën e hënë, delegatë të klubit kampion të Gjermanisë, u takuan me anëtarë të Tottenham për të gjetur një marrëveshje, në mënyrë që sulmuesi të shitet në radhët e gjigantëve të Bundesligës.

Megjithatë, në fund të takimit, nuk është arritur diçka konkrete. Tottenham nuk tërhiqet, por kërkon plot 120 milionë euro për kapitenin e skuadrës. Bayerni, pasi është kthyer dy herë duarbosh me ofertat që ka bërë, nuk tërhiqet, por është i vendosur për të siguruar shërbimet e 30 vjeçarit.

Sikurse raportojnë mediat ndërkombëtare, 6 herë kampionët e Europës, po përpilojnë një tjetër ofertë, që parashikohet të jetë plot 100 milionë euro. Pra, duke marrë parasysh që Tottenham kërkon 120 milionë euro, atëherë distanca mes Bayernit dhe Kane është vetëm 20 milionë euro.

Në kushte si këto, tashmë duket më e besueshme që kapiteni i Spurs dhe i Tre Luanëve, Kane të veshë bluzën e rëndë të Bayern Munich. Në ditët vijuese të merkatos, kampionët e 11-të viteve të fundit radhazi të Bundesligës, do të përpiqen që kur të kthehen nga takimi i radhës në Londër, të marrin me vete edhe Harry Kane, i cili pas më tepër se një dekade, po largohet nga klubi që e lindi si futbollist.

Nëse “operacioni” kompletohet për të paktën 100 milionë euro, atëherë kjo do të jetë blerja më e shtrenjtë në historinë e Bayern Munich, që përgjithësisht është konsideruar si një klub që nuk shpenzon miliona të majme për një futbollist. Megjithatë, standartet e vendosura në merkato, mesa duket, e kanë vendosur klubin gjerman me shpatulla pas murit, duke e detyruar që shpenzojë kaq shumë, megjithëse Kanë tashmë është 30 vjeç.

Nëse gjithçka do të shkojë me sukses, Kane do të firmosë një kontratë 4 vjeçare me Bayernin. Ai do të jetë padyshim një ndër futbollistët më të paguar të organikës bavareze, e do të udhëheqë sulmin e skuadrës që drejtohet nga trajneri Thomas Tuchel.