Sfida mes Bayern Munich dhe Ajax shihet si një klasike e futbollit evropian, pasi përballë vihen dy nga skuadrat më me histori në Champions League. Gjermanët kërkojnë fitoren për të konsoliduar vendin e parë në grup dhe për të harruar humbjen e papritur 2-0 në kampionat ndaj Hertha Berlin. Për të arritur këtë, trajneri Niko Kovac pritet të bëjë disa ndryshime në formacionin bavarez. Tolisso e Rafinha do të mungojnë për një kohë të gjatë, ndërkohë që i vështirë duken edhe rekuperimet e Kingsley Coman apo Leon Goretzkas. Me shumë gjasa, në fushë nga minuta e parë mund të zbresë Renato Sanches, ndërkohë që Thomas Muller mendohet të mbështesë Lewandowskin në sulm.
Dilema ka edhe në qendër të mbrojtjes. Sipas asaj që raportohet nga mediat gjermane, Kovac mendon t’i besojë një vend titullari 23-vjeçarit Niklas Sule, ndërkohë që ka balotazh mes Hummels e Boateng për vendin tjetër. Ndërsa tek holandezët e Ajax, e sigurtë është mungesa e kapitenit Joel Veltman, por shqetësimi më i fundit i trajnerit Ten Hag është Frenkie de Jong. 21-vjeçari raportohet të ketë një shqetësim fizik dhe tek ‘harkëtarët’ shpresojnë ta rikuperojnë deri përpara takimit. Asnjë problem ndërkohë për Huntelaar, që pritet të udhëheqë skuadrën holandeze ndaj një kundërshtari, të cilin veterani e njeh mjaft mirë.