Bayern kërkon informacione për dëmtimin e Sane

Sport

Leroy Sane pritet të transferohet tek Bayern Munich gjatë kësaj merkatoje verore, pasi kampionët e Gjermanisë kanë pranuar të paguajnë mbi 100 milionë euro për shërbimet e tij. Mirëpo kjo lëvizje për momentin ka ngecur dhe kjo vjen për shkak të dëmtimit që Sane mori në sfidën mes Manchester City dhe Liverpool. Dy klubet angleze sfidoheshin në finalen e ‘Community Shield’, trofeu i së cilës në fund shkoi për ‘citizens’. Sane u zëvendësua dhe pas ndeshjes, Guardiola tha se do të prisnin përgjigjet e analizave për të mësuar dëmtimin e lojtarit. Më vonë u tha se gjendja e Sane është e mirë dhe dëmtimi nuk ka qenë aspak serioz, por që nga ai moment, situata reale e gjermanit mbetet mister.

Bayern Munich ka kërkuar informacione rreth gjendjes fizike të 23-vjeçarit, por përgjigja që klubi gjerman ka marrë nuk ka qenë e mjaftueshme për ta. Kjo ka irrituar jo pak drejtuesit bavarezë, të cilët do të heqin dorë nga tratativa për Sane në rast se Manchester City nuk qartëson gjendjen fizike të sulmuesit anësor. Pak përpara fundit të sezonit të shkuar, Leroy Sane ishte pranë rinovimit me Manchester Cityn, por lojtari nuk ka qenë një ndër zgjedhjet e para të trajnerit Guardiola dhe interesimi i madh i Bayern për shërbimet e Sane, bënë që futbollisti të mendojë edhe largimin nga Anglia. Mbetet për t’u konfirmuar se cila është shkalla e dëmtimit të Sane, por tek Bayern do të bëjnë edhe analizat e tyre të detajuara, gjithmonë nëse marrëveshja mes klubeve do të mbyllet me sukses.