James Rodriguez e pranon se ishte e trishtë të largohej nga Reali i Madridit, por e reskepton vendimin e Zinedine Zidane dhe thotë se do të donte shumë që të përballej me ta në Champions League. Kolumbiani, i cili kaloi gjatë verës te Bayern Munich, ka folur së fundmi në një intervistë për El Chiringuiton ku është rikthyer të flasë për madrilenët. Sipas 26-vjeçarit Los Blancos nuk po luajnë mirë momentalisht, por i kanë të gjitha mundësitë që t’i rikthejnë gjërat në rrugën e duhur. I pyetur për Zidane-in, Rodriguez u shpreh se nuk dinte ta thoshte me siguri nëse ka pasur ndonjë afrimitet me francezin si trajner. “S’di ta them nëse ai më mbante afër, dhe po kështu s’mund ta them që ai ishte i padrejtë me mua, por s’e mendoj më këtë pjesë” – ka thënë mesfushori i Bayernit, huazuar për 2 vite në Munich sipas një formule që bavarezëve i ka kushtuar 13 milionë euro. Dikur idhull i tij, Zidane ishte personi që nuk e grumbulloi as në finalen e Champions-League-ës dhe përballë kritikave se ai nuk stërvitej si duhet, Rodriguez ka ritheksuar se kjo gjë nuk ka qenë e vërtetë. “Zidane si lojtar ka qenë idhulli im, Reali aq më shumë, prandaj jepja maksimumin në stërvitje, dyfishin gjithmonë. Cdo gjë tjetër që thuhet s’është e vërtetë” – ka shtuar më tej 26-vjecari autor i 3 golave dhe 5 asisteve këtë sezon. Më tej kolumbiani ka shtuar se do kishte shumë dëshirë që të rikthehej në Bernabeu, edhe pse si kundërshtar, sipas tij do ishte bukur të përballej me Realin në Champions. Për të ndodhur kjo, më parë në 1/8-at, Reali duhet të mundë PSG dhe Bayerni Besiktasin në sfidat që luhen në shkurt dhe mars.