Bayern Munich dhe Borussia Dortmund e kanë nisur klasiken e futbollit gjerman disa ditë përpara se të vijë momenti për t’u përballur në fushën e lojës. Në radhët e bavarezëve është dëmtuar Jamal Musiala, i cili në sfidën e fundit ndaj Bayer Leverkusen pësoi një tërheqje muskulore. Si pasojë, stafi mjekësor i Bayernit ka bërë të ditur se lojtari do mungojë për disa ditë me radhë, duke humbur si fillim ndeshjet e përfaqësueses gjermane.
Madje, bëhet e ditur se lojtari në fjalë do mungojë edhe në sfidën e radhës në kampionat, ndaj Borussia Dortmund në 1 Prill, sfidë e vlefshme për javën e 26-të të kampionatit dhe mund të rikthehet në aksion në sfidën e parë çerekfianle ndaj Manchester Cityt në Champions League.
Mirëpo, në radhët e Dortmundit nuk duan ta besojnë një gjë të tillë. Në radhët e klubit verdhezi, mendojnë se ky është vetëm një “kurth” i Bayernit përpara klasikes, vetëm e vetëm për të shpërqendruar kundërshtarin, sepse sfida e 1 Prillit në “Allianz Arena” konsiderohet edhe si sfida e titullit për këtë sezon. Skuadra që do fitojë, mund të hedhë një hap të rëndësishëm drejt titullit kampion.
Në kushte si këto, Edin Terziç nuk preferon t’i besojë lajme të tilla dhe ai do e përgatisë ndeshjen, me idenë që e gjithë skuadra e Bayernit do jetë e gatshme për të luajtur.
Në 25 javë kampionat, Dortmundi udhëheq me 53 pikë, një më tepër sesa Bayerni i vendit të dytë. Klubi verdhezi synon titullin e parë që nga viti 2012-të, kurse Bayerni të 11-tin radhazi.