Vincent Kompany, trajner i Bayernit
“Nuk e kemi problem të mbrohemi thellë nëse skuadra tjetër mund të na detyrojë ta bëjmë këtë. Kështu ndodhi edhe në ndeshjen e fundit. Por gjithçka ka të bëjë me momentin. Ne këtë radhë luajmë në shtëpi, gjë që kërkon mentalitetin e duhur. Kjo sfidë e parë nuk është nga ato të tipit “gjithçka ose asgjë”. Nuk duhet të harrojmë kurrë faktin se janë dy ndeshje për tu luajtur. Por ne e përballojmë fillimisht Leverkusenin në shtëpi, kështu që diçka e veçantë mund të ndodhë gjithmonë.
Janë dy skuadra me klas të lartë individual, dhe besoj se kjo do të vendosë ndeshjen. Ne kemi pasur tre histori të ndryshme në tre ndeshjet tona kundër tyre, që kemi bërë deri tani në këtë sezon. Leverkusen ka fituar vendin e vet si një konkurrente kryesore dhe ne thjesht po e presim me padurim këtë përballje të radhës
Duhet ta mbushim mendjen me mendime pozitive në mënyrë që gjërat të shkojnë më mirë, në të ardhmen. Skuadra është e aftë të luajë me ritëm shumë të lartë dhe të ketë shumë intensitet. Mendoj se do të mund të jemi të suksesshëm vetëm duke vendosur në punë edhe përvojën tonë. Por edhe me gjithcka të mirë që do të japim në fushën e gjelbërt”.
Alphonso Davies, mbrojtësi i Bayern:
“Ata kanë një ekip shumë të mirë, por gjithashtu edhe ne. Është një rivalitet i madh dhe kjo përballje gjithmonë ka prodhuar lojëra të rëndësishme. Ne do të përpiqemi të bëjmë detyrën tonë. E dimë sesi luajnë ata dhe nuk do të frenohemi nga kjo, edhe sepse luajmë në shtëpi. Ne shkojmë në këtë sfidë, me entuziazëm dhe motivim. Ndeshjet kundër Leverkusenit janë gjithmonë të forta. Ka kaluar pak kohë kur ne ishim në gjendje të fitonim kundër tyre, mirëpo e dimë edhe intensitetin me të cilin ata luajnë.
Por duhet të mundohemi të harrojmë ‘rekordin’ tonë jo të mirë që kemi së fundi kundër tyre. Nëse bëjmë këtë, atëhrë dicka e tillë nuk do të na pengojë të luajmë lojën tonë, ashtu sic dimë. Me synimin për të fituar… Jemi gati për një ndeshje të fortë!”.
Xabi Alonso (trajner i Leverkusen):
“Champions League është një kompeticion më tepër emocional. Dhe mendoj se kontrolli i emocioneve është më i rëndësishmi. Pesë minuta të këqija dhe… mund të përfundosh jashtë. Dy skuadrat e njohin shumë mirë njëra-tjetrën, pasi kemi luajtur edhe së fundmi në kampionat. Por në Champions League, duhet të përballosh momentet e vështira dhe të bësh sa më pak gabime.
Në fund të fundit luajmë kundër Bayernit, ata janë ekipi më i mirë në Gjermani… Por do të shohim! Jo gjithmonë fiton skuadra më e mirë, të shohim si do të shkojë. Jemi në formë dhe duam të tregojmë sërish se mund ta ndezim betejën me Bayernin.
Por ne gjithashtu e dimë se Liga e Kampionëve dhe Bundesliga janë krejtësisht dy turne të ndryshëm. Kështu që duhet të jemi mjaft të kujdesshëm, sidomos në këtë kompeticion. Të gjithë lojtarët që janë në dispozicion mund ta fillojnë ndeshjen si titullarë, ose përndryshe do të mund të japin një ndihmesë në ndeshje e sipër. Do të thoja se çdo lojtar ka një rol në këtë skuadër, pavarësisht nëse ai fillon si titullar ose vjen nga pankina. Unë kam besim se të gjithë bashkë do të arrijnëë të kontribuojnë, atëherë kur t’u kërkohet për të zbritur në fushën e lojës”.
Granit Xhaka, mesfushori i Leverkusenit:
“Nuk ka dyshim se çdo ndeshje në Ligën e Kampionëve është speciale, pavarësisht se kush është kundërshtari që ke përballë. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për dicka të tillë. Jemi të përgatitur sa më mirë për këtë përballje që na pret kundër Bajernit të Mynihut. Mendoj se ekipi që kryeson në Bundesligën gjermane, është e natyrshme që duhet të konsiderohet si favorit. Mirëpo duk dua që të keqkuptohem dhe të mendoni se ne, si Bajer Leverkusen, nisemi të dorëzuar… Besojmë se i kemi armët tona, për të përballuar një ekip si bavaezët. Unë jam i mendimit se me dëshirë dhe uri për sukses, cdokush mund të arrijë gjithçka. Ne kemi shikuar me detaje ndeshjen e kaluar që luajtëm ndaj tyre dhe kemi arritur të kuptojmë se çfarë duhet të përmirësojmë dhe pikat se ku mund t’i ndëshkojmë. Për këtë e kemi folur midis njëri-tjetrit dhe nuk mund t’ua tregoj publikisht”.