Bayern, Alaba zbulon pse shkoi të ngushëllonte Neymar pas finales së ‘Champions’

Sport

Bayern Munich fitoi me meritë trofeun e ‘UEFA Champions League’ për sezonin 2019/20, duke mposhtur minimalisht në finale një skuadër që prej kohësh i ka vënë vetes synim pikërisht lavdinë europiane. PSG kishte të gjitha mundësitë për të shkruajtur historinë, por goli i Kingsley Coman do të rezultonte fatal për të besuarit e Tuchel, të cilët në fund u desh të dorëzoheshin. Por një nga gjërat që ra më shumë në sy pas vërshëllimës finale të gjyqtarit ishte se David Alaba nuk shkoi të festonte me shokët e tij të skuadrës, por u drejtua drejt Neymar, i cili kishte shpërthyer në lot. Alaba shpjegoi në një intervistë të fundit të gjitha veprimet e tij pas asaj finale, duke zbuluar dhe arsyen pse vendosi të qëndronte pranë Neymar në ato çaste. Mbrojtësi i Bayern u shpreh se Neymar është një lojtar i shkëlqyer dhe se ka një talent që të gjithë e admirojnë.

Por sipas Alabas, kjo ka bërë që mbi të, të ketë edhe shumë presion, pasi shihet si lideri që duhet të marrë skuadrën përpara dhe si njeriu që vihet përpara përgjegjësisë në rast humbjeje. Neymar është një nga ata lojtarë që gjithmonë përpiqet të argëtohet në fushën e lojës dhe Alaba thotë se të gjithë ata që janë pjesë e këtij sporti, i adhurojnë atletë të tillë, që punën e tyre e ndërthurin me pasionin dhe dëshirën për të bërë sa më mirë me topin. Fakti që Neymar u përfshi nga lotët vjen pikërisht prej faktit se ndaj brazilianit pritej shumë dhe Alaba thotë se lojtarë si sulmuesi i PSG, kërkojnë të mos i zhgënjejnë njerëzit që kanë nga prapa. Kështu, mbrojtësi i Bayern e pa më të arsyeshme të ngushëllonte Neymar në ato çaste, për shkak të respektit që ai ka për yllin e PSG.