Bayer Leverkusen vijon sezonin e jashtëzakonshëm, një sezon që po e sulmon në të gjitha frontet. Përveç ecurisë në kampionat, apo edhe në Europa League, skuadra e drejtuar nga Xabi Alonso po jep maksimumin edhe ne Kupën e Gjermanisë, atje ku është kualifikuar në fazën gjysmëfinale.
Në çerekfinale, Leverkuseni ka mposhtur në shtëpi skuadrën e Shtutgartit me rezultatin 3-2. Sfida e luajtur në Bay Arena ka nxjerrë edhe një herë tjetër në pah cilësitë e jashtëzakonshme të një lojtari në organikën e Xabi Alonsos, sikurse është Florian Wirtz. Mesfushori 20 vjeçar i dha një shtysë skuadrës së tij në rrugën suksesit, duke asistuar në 2 nga golat e shënuar. Në këtë mënyrë, Wirtz është ngjitur në kuotën e 15 asistimeve këtë sezon në të gjitha kompeticionet dhe kjo e bën atë asistuesin më të mirë në 5 ligat kryesore të Europës deri në këtë fazë të edicionit.
Gjithashtu, vlen të theksohet se Shtutgarti është gjahu i preferuar i Wirtz, pasi në 7 ndeshje, i ka ndëshkuar me një kontribut prej 8 golash, të paktën dyfish më tepër sesa ka bërë ndaj çdo skuadre tjetër.
Më tej, kjo ishte ndeshja e 30 radhazi që Leverkuseni arriti të shënojë në ndeshjet e Kupës, diçka që është shënuar si rekord në historinë e klubit. Gjithashtu, asnjë klub tjetër nuk e gëzon aktualisht një ecuri të tillë.
Për Bayer Leverkusen është folur së tepërmi, e madje mjaft mirë deri në këtë fazë të sezonit, por mesa duket, skuadra e Xabit, tashmë e kthyer në makineri, ka ende edhe shumë per të thënë.