Enea Bastianini është kryesuesi i renditjes së përgjithshme për pilotë në ‘MotoGP’ pas dy garave të para të sezonit. Piloti i skuadrës ‘Gresini’ mori fitoren e parë në karrierë në këtë kategori në pistën e Katarit, por nuk ia doli të impresionte në Indonezi, për shkak të kushteve atmosferike.
Tashmë 24-vjeçari shihet si lideri i botërorit dhe nuk janë të paktë ata që presin një ecuri pozitive në këtë sezon të italianit. Megjithatë, vetë Bastianini ka kërkuar t’i largojë pritshmëritë e mëdha, duke u shprehur se për momentin, pavarësisht rezultatit në garën e parë, qëndron larg atyre që cilësohet vërtet si pretendentë në këtë sezon të ‘MotoGP’.
Italiani thotë se është i kënaqur me punën që ka bërë skuadra me motorin e këtij viti, por është i bindur se si ai, edhe pjesa tjetër e ekipit kanë ende shumë punë për të bërë, nëse kërkojnë të shfaqin vazhdimësi me rezultatet e tyre. Sa i përket garës së Indonezisë, në pistën e Mandalikas, Bastianini e pranoi se hasi shumë vështirësi, duke thënë se nuk shquhet për garimin në pistë të lagur. Italiani e sheh këtë aspekt si diçka që ai duhet ta përmirësojë, pasi nëse kërkon të jetë pretendent për podiumin, duhet të dijë të menaxhojë motorin edhe në situata të tilla.
Në Argjentinë, që është edhe ndalesa e radhës së elitës së garave me motora, Bastianini thotë se skuadra ‘Gresini’ synon të bëjë një tjetër paraqitje të madhe, ndonëse kundërshtarët kanë patur po ashtu kohë të mjaftueshme për t’u përmirësuar në krahasim me dy garat e para.