‘Basti’ i Etritit: Do gjuaj një penallti në Serinë A

Sport

Etrit Berisha

Portieri i Atalanta-s, Etrit Berisha u nda në barazim në sfidën e së dielës në “Olimpik” ndaj bashkatdhetarit të tij, Thomas Strakosha. Natyrisht ka pranuar se bergamaskët meritonin ndoshta shumë më tepër. Mirëpo ajo që ka tërhequr vëmendjen është fakti se ka zbuluar premtimin sensacional që i ka bërë trajneri i tij: “Nëse do të më paraqitet ndonjëherë mundësia deri në fund të sezonit që të gjuaj një penallti, trajneri Gasperini do të ma lejojë”. E pra, kush e tha se detyra e portierëve është vetëm të ruajnë portën nga golat? Në intervistën e dhënë pas ndeshjes me Lacion, gardiani i kombëtares së Shqipërisë ka thënë se që kur ka ardhur të luajë në Itali, një gjë që i mungon më shumë janë ekzekutimi i penalltive. “Fatkeqësisht, në Serinë A nuk e kanë këtë zakon, pasi këtu portierët vetëm duhet të presin gjuajtjet. Mirëpo po na u akordua penallti në 2 ndeshjet e mbetura, atëherë do ta gjuaj unë…”. Faktikisht nuk do të jetë hera e parë për Berishën që godet penallti, pasi në të kaluarën, pikërisht në kohën kur luante me Kalmar në Suedi, ka arritur të shënojë 4 herë nga pika e bardhë. Ai, pavarësisht se nuk ka shënuar, ka qenë një nga protagonistët kryesorë të këtij sezoni për ekipin e Bergamo-s, që po lufton për të siguruar një vend në edicionin e ardhshëm të Kupave të Evropës.