Për herë të parë në historinë e tyre dhe madje për herë të parë në historinë e sportit në vendin e tyre, skuadra e basketbollit të Sudanit të Jugut do të jetë pjesë e ‘Lojërave Olimpike’ në Paris. Një ekip i mbushur me lojtarë që kanë lindur jashtë kufinjve të shtetit të Sudanit të Jugut dhe kanë vendosur të bashkojnë forcat për t’i dhënë një tjetër fytyre origjinës së tyre me anë të basketbollit. Në sfidën vendimtare ndaj Angolës, në raundin kualifikues në Filipine, ku po zhvillohet edhe botërori, skuadra e Sudanit të Jugut triumfoi me rezultatin 101-78, duke e mbyllur në vendin e parë të grupit të tyre, çfarë u ka siguruar pjesëmarrjen në ‘Paris 2024’. Ky ishte një fryt i punës së Luol Deng, ish-lojtar i NBA, që ia doli të fyrmëzonte nga hiçi një projekt që i dha tjetër kuptim basketbollit në vendin e tij. Në takimin ndaj Angolës, Carlik Jones ishte ai që shkëlqeu me 26 pikë, 7 ribaunde e një rekord prej 15 asistesh. 25-vjeçari është pjesë e Chicago Bulls dhe është organizatori kryesor i përfaqësueses së Sudanit të Jugut dhe njeriu që qëndron gjithnjë pranë trajnerit amerikan Ivey. Ky i fundit, ish-asistent tek skuadra e Houston Rockets, u thirr pikërisht nga Deng për ta mbështetur në këtë projekt. Pjesë të ekipit janë edhe Ëenyen Gabriel, po ashtu lojtar i NBA, i cili në takimin ndaj Angolës e mbylli me 15 pikë e 10 ribaunde, apo Nuni Omot. Ky i fundit ka lindur në një kamp refugjatësh në Kenia, përpara se të zhvendosej në Minnesota të Shteteve të Bashkuara. Histori të ngjashme kanë edhe pjesa tjetër e skuadrës, që ia kanë dalë mbanë të lënë pas çdo vështirësi e tragjedi, për të frymëzuar një arritje të tillë, si pjesëmarrja për herë të parë në ‘Lojërat Olimpike’ të vendit të tyre.