Me plot surpriza është mbyllur turneu i ‘Pekin 2018’ në tenis, me gjeorgjianin Nikoloz Basilashvilin fitues të finales se këtij kompeticioni. Tenisti 26-vjeçar, mundi në sfidën e fundit të turneut argjentinasin Juan Martin Del Potro, që vinte në këtë përballje si favoriti kryesor. Basilashvili e mbylli takimin brenda 1 ore e 41 minutash lojë. Gjeorgjiani i fitoi të dyja setet e takimit me rezultatin identik 6-4, ku mjaftoi nga një ‘game’ i marrë me breal ndaj kundërshtarit, për të vulosur fatin e kësaj finaleje. Më arritjen e këtij triumfi mjaft të rëndësishëm në karrierën e tij, Basilashvili ka siguruar edhe ngjitjen prej plot 11 pozicionesh në renditjen e ‘ATP’-ës, ku tashmë mban vendin e 23-të. Ndërsa Del Potro, pavarësisht humbjes ruan vendin e 4.
Është rikthyer tek triumfi ndërkohë tenistja daneze Caroline Wozniacki, që mundi në finalen e femrave në ‘Pekin 2018’, letonezen Anastasija Sevastovan, 2-0 me sete. Wozniacki dominoi takimin dhe u pa të ishte në një formë më të mirë se kundërshtarja e saj dhe e mbylli takimin brenda 1 ore e gjysmë. 6-3, 6-3 ishin rezultatet që kthyen 28-vjeçaren daneze tek fitimi i një titulli. Gjithësesi, Wozniacki mbetet në vendin e dytë të renditjes së femrave, që vazhdon të kryesohet nga tenistja rumune Simona Halep.