Probleme në radhët e Glasgow Rangers. Humbja 5-1 e derbit me Celticun, ka shkaktuar një zënkë të madhe mes grupit, atje ku protagonisti kryesor thuhet të ketë qenë 34-vjecari Joey Barton. Ish-mesfushori i Newcastle-it dhe Manchester City-it, ka pasur një zënkë me 24-vjecarin Andy Halliday, Rangers vuajti humbjen më të thellë në një derbi “Old Firm”, që kur keltët i mundnin 6-2 në vitin 2000. Loja e dobët duket se ka qenë objekti kryesor i përplasjes mes dy lojtarëve të skuadrës së Mark Warburton. Ky i fundit thuhet se ka marrë masa drastike duke e larguar 34-vjecarin nga skuadra. Joey Barton thuhet se nuk do të stërvitet me grupin deri të hënën e javës së ardhshme, cka do të thotë se ai do të mungojë në sfidën me Ross County-in. Në disa deklarata që ka bërë vetë lojtari, ai ka kërkuar ndjesë për situatën duke theksuar se e respekton vendimin e trajnerit të tij. Barton ka qartësuar se përplasja ka qenë vetëm verbale, teksa nga ana tjetër tha se fakti që ka kërkuar ndjesë s’do të thotë që e ka pasur gabim. Teksa nënshkroi për Rangers-at këtë verë, 34-vjecari, qe shprehur se kishte si objektiv të kthehej në lojtarin më të mirë të Premiershipit skocez, por kur kanë kaluar 5 javë, synimi i tij duket shumë larg realizimit, teksa shpesh ka vuajtur edhe ndërhyrje të ashpra.