Bartomeu: Messi nuk do të largohet nga Barcelona

Sport

largea 390611390839195
Pas spekulimeve që e lidhnin Lionel Messin me një largim nga Camp Nou, ka reaguar ashpër Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu. Numri Një i klubit katalanas ka thënë se këto raportime janë tejet të “turpshme” dhe vijnë në një moment delikat të argjentinasit, i cili është duke u riaftësuar nga një lëndim muskulor. Spekulimet lidhur me një largim të Messit filluan të qarkullonin që pas problemeve me autoritetet spanjolle, kjo për shkak të akuzave për evazion fiskal. Ndërkohë që në ndeshjen e fituar 3-1 ndaj Eibarit, ku Messi ishte në tribunë, ftohtësia me të cilën ai e shihte ndeshjen i dha më shumë peshë këtyre spekulimeve.
Por për t’i përgënjeshtruar një herë e mirë këto zëra ka menduar Bartomeu, i cili tha se “ata që thonë se Messi do të largohet nga Barcelona duhet t’u vijë turp”. Sipas Presidentit të Barcelonës, Leo dhe babai i tij janë të nervozuar me autoritetet spanjolle, por po bëjnë të pamundurën që të mbyllin cështjet që janë hapur rreth tyre dhe për këtë meritojnë respekt. Bartoemu rikujtoi se kontrata e Messit përfundon në vitin 2018-të, ndërkohë që marrëdhënia e tij me Barcelonën, ka qenë dhe mbetet e jashtëzakonshme.
Që më 26 shtator, Lionel Messi po qëndron jashtë fushe për shkak të një lëndimi muskulor të pësuar gjatë ndeshjes ndaj Las Palmas. Argjentinasi thuhet se po punon fort për t’u riaftësuar tërësisht në mënyrë që të jetë i gatshëm për El Clasicon e 21 nëntorit.