Antoine Griezmann nuk ka firmosur me Barcelonën. Është presidenti i skuadrës katalanase që përpiqet t’i japë fund spekulimeve që lidhin kampionin e botës me blaugranat. Josep Maria Bartomeu kërkon që mediat të mos raportojnë lajme të tilla të pavërteta, pasi mes klubit që ai drejton dhe lojtarit nuk ka asnjë marrëveshje. Për më tepër, Bartomeu thotë se as nuk është negociuar ndonjëherë as me Griezmann dhe as me ndonjë përfaqësues të tij. Javët e fundit, Griezmann është pëfolur shumë se ka arritur një marrëveshje me Barcelonën, madje kishte nga ato media spanjolle që deklaronin se francezi kishte firmosur kontratën me blaugranat që përpara përfundimit të sezonit që sapo u mbyll.
I pyetur rreth merkatos, numri 1 i Barcelonës u shpreh se kanë kohë të mjaftueshme përpara dhe se gjërat do të analizohen me kujdes, në mënyrë që të mos ketë lëvizje të gabuara. Ai pranoi se së fundmi është takuar shpesh me drejtorin sportiv, Pep Segura dhe me trajnerin Valverde, për të përcaktuar strategjinë që do të ndjekin në merkato. Bartomeu theksoi se vëmendje të veçantë do t’i kushtohet edhe Barcelonës B, ky synohet një rinovim i thellë i grupit. Ndërsa për ekipin e parë, presidenti i Barcelonë pranoi se do të ketë disa lëvizje, ku llogariten afrime të reja, por edhe largime lojtarësh, duke refuzuar të bëjë me dije ndonjë emër që është në objektivat e klubit katalanas.