Bare mund shokun e tij dhe fiton bastin

Sport

Mund të thuhet se Keidi Bare ia doli të fitojë bastin e vënë me Rei Manajn, pasi Malaga e tij ia doli të fitonte 2-1 në transfertë dhe të siguronte pjesëmarrjen në play-off për ngjitjen në La Liga. Madje, duke i rrëmbyer njëkohësisht edhe vendin e tretë në renditje pikërisht Albacetes së lushnjarit.
Si zakonisht, Bare u aktivizua titullar, në vendin e preferuar të tij në rreshtim, para mbrojtjes, duke u bërë “regjisori” i skuadrës që vlerësohet nga të gjithë si pretendente kryesore për t’u ngjitur në La Liga përmes “play-off”-it. Kurse nga ana tjetër, Manaj hyri në fushën e lojës si zëvendësues vetëm në minutën e 60 të takimit, kur shifrat ishin 2-1 dhe Malaga kishte mbetur me 10 vetë. Përkundër dëshirës së madhe dhe disa aksioneve të rrezikshme, ai nuk pati mundësinë të gjuante në portë, apo për t’iu afruar shënimit të golit të barazimit të mundshëm 2-2.


Si përfundim, suksesi i takoi Malagas së Bares që iu gëzua kështu tripikëshit të vyer, përballë shokut të tij të ngushtë, Manaj, në një sfidë ku u dhanë 9 kartonë të verdhë dhe 1 i kuq. Vetë mesfushori kishte zbuluar dy ditë më parë se kishte vënë bast me sulmuesin, por pa treguar se çfarë do të bënte humbësi i sfidës. Dy shqiptarët do të duhet të shtyjnë pushimet e tyre, sepse pasi të luhet edhe java e fundit, nis playoff për ngjitjen në La Liga, ku të dy do të jenë protagonistë. Osasuna e ka siguruar me kohë ngjitjen mes më të mirëve të futbollit spanjoll, ndërsa këtë javë e bëri edhe Granada.