Bare, me kohë të plotë për Malagan para Santanderit

Sport

Keidi Bare mund të konsiderohet plotësisht i rikuperuar. Mesfushori shqiptar u rikthye gjatë mesjavës për t’u stërvitur me kohë të plotë bashkë me grupin e lojtarëve të Malagas. Ai ka hedhur kështu prapa krahëve dëmtimin që e la jashtë fushave të lojës për gati 6 javë. Gjatë kësaj kohe, Bare mungoi në plot gjashtë takime të Segunda Ligas. Ndërsa sfida e fundit që luajti ishte ajo kundër Oviedos, që Malaga e barazoi
me rezultatin 1-1 dhe ku lojtari shqiptar pësoi dëmtimin muskulor.
Në rikthimin e tij të plotë për t’u përgatitur me skuadrën, fieraku e zhvilloi të gjithë seancën stërvitore me ushtrime me topin dhe disa lëvizje taktike, njësoj si pjesa tjetër e ekipit. Ndërsa ka marrë pjesë edhe në një miqësore të luajtur  kundër rusëve të Krasnodarit. Kjo ka qenë si një lloj prove gjenerale për mesfushorin, i cili mbetet të shihet nëse do të ketë disa minuta në ndeshjen zyrtartare të fundjavës. Atë që  Malaga do ta luajë të dielën në fushën e vet ndaj Racing Santander. Një ndeshje ku skuadra e shqiptarëve do të kërkojë të marrë maksimumin, për të fituar më tepër moral drejt largimit nga zona e rrezikut.