“Kronika e një prezantimi të dështuar” ky ka qenë raportimi i gazetës spanjolle AS rreth zyrtarizimit të Ousmane Dembelesë te Barcelona. Djaloshi 20-vjecar kreu të hënën vizitat mjekësore dhe u paraqit në Camp Nou me numrin 11-të në shpinë, atë numër të cilin deri një muaj më parë te katalanasit e mbante braziljani Neymar. 105 milionë euro për një talent që ka shumë prespektivë, por të gjithë e dinë që Dembele s’është Neymar dhe më shumë se të gjithë e dinë tifozët e Barcelonës, të cilët hera-herës bënë shenjë me shami të bardha dhe brohoritën në kore kundër Presidentit Bartomeu. “Jam tejet i nderuar që vesh këtë fanellë dhe që jam mes lojtarëve më të mirë në botë. Gjithmonë kam dashur të luajë për Barcelonën, i kam parë të gjitha ndeshjet e tyre. Shpresoj të mund të sjell këtu shumë tituj dhe trofe. Uroj që të integrohem shpejt me grupin dhe shokët e skuadrës” – tha 20-vjecari francez, i cili u largua jo me pak-fjalë nga Dortmundi. Fjalë të rënda kanë qenë ato të emrave si Sammer apo Rummenigge, të cilët e kanë konsideruar një merkato katastrofë, si cmimin ashtu edhe sjelljen e Dembelesë. Ndërkohë 20-vjecari është bërë objekt talljesh në rrjetet sociale pasi në emocione e sipër nuk ofroi shumë spektakël në prezantim. Por kjo gjë duhet thënë se i ka ndodhur edhe të tjerëve. Rasti i fundit qe ai i Theo Hernandezit te Reali i Madridit.