Barcelonë, nëse Katalonja shpallet e pavarur, çfarë do të ndodhë me Messin?

Sport

cataloniamessi

Sërish një tjetër çështje kontraktuale trazon tifozët katalan. Lionel Messi ka diktuar një klauzolë që parashikon lirimin me parametër zero nga klubi i Barcelonës nëse Katalonja shpall pavarësinë. Kështu pas trazirës që shkaktoi gjatë gjithë verës ripërtëritja e vonuar e kontratës me argjentinasin, sërish marrëdhënia e tij me fanellën e Barcelonës vihet në diskutim. Trazirat politike për shkak të çështjes së pavarësisë së Katalonjës përfshinë edhe sportin. Të shumta ishin polemikat pasi u tha se pavarësimi do ta largonte Barcelonën nga Liga Spanjolle. Nga drejtuesit e klubit u deklarua hapur mbështetja për cështjen katalane dhe nga ana tjetër u hodh ideja e një lige paralele tërësisht me klube vendase, ose-ose anëtarësimi i Barçës në një ligë tjetër të Evropës. Ide këto deri në kufijtë e absurdes, por që si duket e kanë patur zanafillën te një klauzolë e Messit. Gazeta El Mundo zbuloi të premten se ylli argjentinas nuk do ta pranonte të luante në një ligë më poshtë se 4 kampionatet kryesore të kontinentit dhe për rrjedhojë nëse Katalonja shpallet e pavarur dhe nga ana tjetër Barcelona largohet nga La Liga, të njëjtën gjë do të bëjë edhe Messi nga Barça. El Mundo thotë se në këtë largim të mundshëm nuk do të ketë efekt klauzola prej 700 milionë eurosh e parashikuar në kontratë dhe ndaj 5 herë kampionët e Evropës duhet ta mendojnë mirë edhe përfshirjen në politikë.